spot_img
HomeLajmeForcohet koordinimi doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë

Forcohet koordinimi doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë

spot_img

Drejtori i Doganës së Shqipërisë, Besmir Beja, ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Kosovë nga ku është pritur nga homologu i tij kosovar, Agron Llugaliu.

Në njoftimin e Doganës së Kosovës thuhet se gjatë takimit, të dy drejtorët vlerësuan bashkëpunimin e thellë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy administratave, duke theksuar se të dyja vendet ofrojnë kapacitete të konsiderueshme për zhvillim të përbashkët.

“U nënvizua se integrimi i deritanishëm, i cili ka mundësuar zhdoganimin në Portin e Durrësit, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe fuqizimin e transitit përmes këtij porti, duke përbërë një dëshmi të fuqishme të përfitimeve konkrete nga ky bashkëpunim”, bëhet e ditur në njoftim.

Në takim, thotë Dogana e Kosovës,  u diskutuan gjithashtu zhvillimet më të fundit në të dy administratat dhe u identifikuan fusha të reja për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në lehtësimin e tregtisë, rritjen e transparencës dhe avancimin e proceseve të përbashkëta.

“Palët ritheksuan angazhimin për koordinim të ngushtë dhe, në këtë kuadër, u dakorduan për të ndjekur një plan të përbashkët me fusha të identifikuara bashkëpunimi, me qëllim që shkëmbimet të jenë të shënjestruara dhe në përputhje me interesat strategjike të administratave të të dyja vendeve”, përfundon njoftimi i Doganës së Kosovës për takimin që kanë pasur krerët e doganave nga Kosova e Shqipëria.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img