Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, të cilët kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar.
Më 11 shkurt 2026, një shtetas kosovar është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë. Ai ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi kërkohej nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. Pas ekstradimit, i dyshuari është dorëzuar njësive përkatëse të policisë për procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, më 12 shkurt 2026, Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin në Gjermani të një shtetasi tjetër kosovar, i cili ishte i kërkuar nga autoritetet gjermane për përfshirje në veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “grabitje”.
Të dy ekstradimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare midis Kosovës dhe Gjermanisë.
Policia e Kosovës bëri të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe ndjekjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale brenda dhe jashtë vendit.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







