Stafi i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë dhe Këshilli i Prindërve të kësaj shkolle kanë mbajtur sot një grevë dyorëshe në shenjë proteste ndaj, siç u tha, sjelljeve problematike të disa nxënësve, një ditë pasi Policia e Kosovës arrestoi një mësimdhënës të kësaj shkolle nën dyshimin për ushtrim dhune ndaj një nxënësi.
Sipas mësimdhënësve të kësaj shkolle, videoja e publikuar në rrjete sociale paraqet vetëm fundin e ngjarjes dhe nuk pasqyron tërësisht rrethanat reale të incidentit të ndodhur dje në këtë shkollë.
Përfaqësuesi i shoqatës sindikale të shkollës, Ardit Ukaj, theksoi se dhuna nuk ka vend në institucionet arsimore, por se greva nuk ka për qëllim justifikimin apo mbrojtjen e saj, por ngritjen e shqetësimeve për sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësve.
“Ne jemi kundër çdo forme dhune, fizike apo verbale, dhe ajo nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë. Kjo grevë është reagim ndaj dhunës dhe sjelljeve që po cenojnë autoritetin dhe sigurinë e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor”, tha Ukaj.
Ai shtoi se mësimdhënësit po përballen gjithnjë e më shpesh me fyerje, ofendime dhe nënçmime nga nxënësit, ndërsa mekanizmat ligjorë dhe disiplinorë aktualë nuk po ofrojnë zgjidhje efektive.
Edhe shoqata sindikale ka kërkuar një qasje më serioze dhe të koordinuar institucionale për trajtimin e rasteve të tilla, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt dhe profesional për zhvillimin normal të mësimit.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







