Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të partisë, duke theksuar se ky ishte hap më moral që një kryetar mund të marrë.
“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar rëndësinë e debatit të hapur brenda partisë, duke shtuar se vendimi i tij nuk lidhet me protagonizëm apo rrjete sociale, por me ruajtjen e rregullit, dinjitetit dhe besimit brenda LDK-së.
Abdixhiku ka bërë të qartë se interesi i partisë dhe i anëtarësisë është mbi çdo interes personal, dhe çdo vendim për të ardhmen e partisë do të merret nga Kuvendi i LDK-së.
“Ta keni të qartë. Jo sot, jo dje po gjithëherë: Fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Dhe çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi”, ka shkruar mes tjerash ai.
Ai ka kërkuar që të gjithë të sillen pa dramë e pa protagonizëm.
/HisariOnline/







