Një shofer është gjobitur këtë të mërkurë nga Policia e Kosovës pasi me kamionin e tij ndoti rrugët në kryeqytet.
Policia thotë se ai u gjobit pasi paraprakisht nuk ishte siguruar që para se të dilte nga vendpunishtja, mjeti të ishte i pastër.
Por, përveç drejtuesit të kamionit, për shkak të ndotjes së rrugëve në Prishtinë, gjobë ka marrë edhe kompania.
“Sipas ligjeve në fuqi, ndalohet dalja në rrugë nga vendpunishtet apo rrugët e ndotura pa u siguruar paraprakisht që mjeti është i pastër dhe nuk shkakton ndotje të sipërfaqes rrugore. Në rastin konkret, mjeti ka qarkulluar duke ndotur rrugën, si pasojë e mos sigurimit të ngarkesës. Ndaj drejtuesit të mjetit është shqiptuar gjobë për mos sigurim të ngarkesës, ndërsa po ashtu është shqiptuar edhe gjobë ndaj firmës, në emër të personit juridik”, thotë Policia.
Kanë bërë të ditur se kontrollet dhe masat ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e qarkullimit dhe rrezikojnë sigurinë në trafik apo ndotin ambientin, do të vazhdojnë, duke apeluar për respektim të ligjit dhe përgjegjësi gjatë pjesëmarrjes në trafik.
/HisariOnline/







