Është ekstraduar një shtetas shqiptar nga Shqipëria për në Kosovë këtë të martë ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Në njoftim thuhet se ky ekstradim u realizua nëpërmjet Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprat penale “Kultivim i narkotikëve dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësiteve përkatëse të Policisë së Kosovës, që do të vazhdojnë me procedurat tjera ligjore përkatëse.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbardhjes së aktiviteteve kriminale, duke përfshirë hetimin e kryesve të veprave penale. Po ashtu, do të vazhdojë gjurmimi dhe arrestimi i personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet tutje.
/HisariOnline/







