spot_img
HomeLajmeSpiropali: Lufta e UÇK nuk ishte për pushtet politik,...

Spiropali: Lufta e UÇK nuk ishte për pushtet politik, drejtësia në Hagë të jetë e paanshme

spot_img

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u prit paraditen e sotme në Prishtinë nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në një takim me fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, përgatitjet për takimin e radhës ndërqeveritar dhe riaktivizimin e mekanizmave strategjikë të përbashkët.

Të dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës Spiropali theksoi se “për ne Kosova nuk është zgjedhje protokolli, por zgjedhje historie, një deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar.”

“Ne nuk po ndërtojmë një marrëdhënie nga e para. Ne po forcojmë një bosht kombëtar. Një aleancë të natyrshme mes dy shteteve sovrane, mes dy republikave motra, që ndajnë histori, identitet, sakrificë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Të dyja qeveritë tona prej kohësh kanë zgjedhur një politikëbërje të bazuar te realiteti. Realiteti i një kohe. Realiteti i një populli. Realiteti i një shteti që ekziston, që funksionon dhe që nuk është objekt debati, por subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike. Është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror.”

Spiropali theksoi se “forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë.”

“Çdo njohje e re, çdo anëtarësim i ri, çdo hap drejt konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës është investim në sigurinë, në dinjitetin dhe në stabilitetin e gjithë hapësirës sonë dhe të rajonit. Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për zgjerimin e njohjeve dhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Barazia ndërkombëtare e Kosovës nuk është çështje simpatie. Është çështje drejtësie. Është çështje respekti për realitetin politik të krijuar me sakrificë”, tha Spiropali.

Integrimi evropian i Kosovës, shtoi Ministrja, është test i koherencës së vetë Bashkimit Evropian me vlerat që ai përfaqëson.

“Kosova ka dëshmuar qartësi euroatlantike, përkushtim ndaj reformave dhe stabilitet institucional. Ky përkushtim duhet të përkthehet në vendime konkrete. E them qartë nga Prishtina: Kosova meriton statusin e vendit kandidat, pa standarde të dyfishta dhe pa pritje të pafundme. Një Evropë që kërkon besim nga rajoni duhet të tregojë besueshmëri në vendimmarrjen e saj”, shtoi ajo.

Spiropali u ndal edhe në qëndrimin e Shqipërisë mbi procesin e dialogut me Serbinë.

“Dialogu mbetet rruga për një zgjidhje të qëndrueshme dhe për stabilitet afatgjatë në rajon. Por stabiliteti nuk ndërtohet mbi mohimin e realitetit. Realiteti është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë mes dy shteteve dhe për një rajon të lirë nga tensionet e trashëguara. Serbia duhet të pajtohet me këtë realitet, jo si akt presioni, por si hap i domosdoshëm për normalizim të vërtetë. Kjo marrëveshje duhet t’i hapë përfundimisht Kosovës rrugën për anëtarësim të plotë në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në këtë rrugë, Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën, me
këmbëngulje, me koordinim të plotë me aleatët dhe me qartësi strategjike.”

Nga Prishtina, Spiropali përcolli edhe mesazhin që drejtësia në Hagë të jetë e paanshme në gjykimin për ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Proceset në Dhomat e Specializuara janë në një moment të rëndësishëm. Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj. Por drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputur nga çdo lexim kolektiv. Drejtësia nuk mund të ecë me standarde të dyfishta. Nuk mund të prodhojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral dhe historik.
Lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet. Ishte një luftë për mbijetesë dhe për liri, pas një periudhe të gjatë represioni dhe terrori sistematik ndaj popullsisë civile. Kjo është edhe arsyeja përse Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni i NATO-s ndërhynë në Kosovë, për të shmangur një katastrofë të re humanitare, me përmasa tej tragjikes, në zemër të Europës. Prandaj, çdo proces që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me vetëdije të plotë për kontekstin, për disproporcionin e forcës dhe për realitetin e krimeve ndaj popullsisë civile. Sot, në Hagë, përballen me drejtësinë ish- udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetar të Kosovës. Ata janë figura që përfaqësojnë një kapitull të caktuar të historisë sonë të rezistencës.
Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë vendim gjyqësor. Por kemi detyrimin moral dhe historik të themi qartë se drejtësia duhet të jetë drejtësi e
plotë, jo drejtësi e pjesshme. Ajo nuk mund të shkëputet nga konteksti i një lufte çlirimtare. Nuk mund të injorojë faktin se në Kosovë ka pasur agresion shtetëror, spastrim etnik dhe krime masive ndaj popullsisë civile shqiptare.
Asnjë proces gjyqësor nuk duhet të krijojë perceptimin se historia po rishkruhet në mënyrë të pabalancuar. Asnjë proces nuk duhet të lërë hapësirë për idenë se rezistenca e një populli për liri vendoset në të njëjtin plan moral me politikën e represionit që e parapriu atë. Kosova si shtet nuk është në gjyq. Lufta e saj për liri nuk është në gjyq. E vërteta historike nuk është në gjyq. Ne kërkojmë drejtësi. Por kërkojmë drejtësi që e sheh të plotë panoramën, që njeh disproporcionin e forcës, që njeh
kontekstin, që njeh sakrificën dhe që nuk lejon relativizimin e viktimës. Ky nuk është presion. Kjo është përgjegjësi ndaj historisë”, deklaroi Spiropali.

Spiropali tha se “integrimi euroatlantik i Kosovës është element kyç i sigurisë rajonale.”

“Prania e NATO-s dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë të pazëvendësueshëm stabiliteti. Në një Evropë të trazuar nga lufta dhe tensionet gjeopolitike, siguria nuk është e garantuar. Ajo kërkon vigjilencë, koordinim dhe angazhim të vazhdueshëm. Siguria e Kosovës është prioritet mbi prioritete për Shqipërinë. Siguria e Kosovës është siguria e vetë Shqipërisë. Kjo nuk është figurë retorike. Është vlerësim strategjik. Mbajtja e Samitit të NATO-s në vitin 2027 në Tiranë duhet të jetë edhe një mundësi e
shkëlqyer për afrimin e Kosovës me strukturat euroatlantike.”

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img