Siguria kombëtare nuk mund të mbështetet vetëm në kapacitetet ushtarake dhe reagimin ndaj krizave. Hajriz Sejdiu kërkon ndërtimin e një sistemi gjithëpërfshirës të gatishmërisë, që garanton funksionimin e institucioneve dhe shërbimeve jetike edhe në situata të jashtëzakonshme.
Hajriz Sejdiu ka ngritur nevojën për një qasje të re në fushën e sigurisë kombëtare në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kalimit nga menaxhimi tradicional i emergjencave drejt ndërtimit të qëndrueshmërisë kombëtare dhe forcimit të mbrojtjes civile, njofton Hisarionline.net.
Në një analizë të publikuar me titullin “Nga menaxhimi emergjent drejt qëndrueshmërisë kombëtare”, Sejdiu vlerëson se kërcënimet gjithnjë e më komplekse kërkojnë që shtetet të investojnë jo vetëm në reagimin ndaj fatkeqësive, por edhe në përgatitjen për kriza të zgjatura dhe garantimin e vazhdimësisë së funksioneve shtetërore.
Sipas tij, përvoja ndërkombëtare dëshmon se siguria kombëtare kërkon një koordinim të fuqishëm ndërmjet institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, sektorit privat dhe qytetarëve.
Modeli amerikan dhe rëndësia e qëndrueshmërisë kombëtare!
Duke iu referuar zhvillimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sejdiu përmend nismën “FORTRESS America”, të shpallur më 30 shtator 2026, si një shembull të investimit në qëndrueshmërinë e kapaciteteve strategjike.
Kjo nismë amerikane synon forcimin e sigurisë së infrastrukturës ushtarake, pavarësinë energjetike të bazave, mbrojtjen e zinxhirëve të furnizimit, krijimin e rezervave strategjike dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike e sabotazhi.
Megjithatë, Sejdiu sqaron se ky nuk është një model i plotë i mbrojtjes civile, por një shembull i rëndësisë që shtetet i kushtojnë ruajtjes së kapaciteteve jetike në rrethana krizash.
Në analizën e tij, ai veçon tri koncepte themelore: qëndrueshmërinë kombëtare, mbrojtjen gjithëpërfshirëse dhe mbrojtjen civile, transmeton Hisarionline.net.
Sipas Sejdiut, qëndrueshmëria kombëtare lidhet me aftësinë e shtetit për të përballuar dhe kapërcyer krizat, duke ruajtur funksionimin e institucioneve, furnizimin me energji dhe ujë, shërbimet shëndetësore, komunikimin dhe transportin.
Mbrojtja gjithëpërfshirëse nënkupton angazhimin e koordinuar të institucioneve, strukturave të sigurisë, bizneseve dhe shoqërisë, ndërsa mbrojtja civile përqendrohet në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës, infrastrukturës dhe mjedisit.
Sejdiu ngre pyetje për gatishmërinë e Kosovës!
Duke analizuar gjendjen në Kosovë, Sejdiu pranon se vendi ka ndërtuar ndër vite një bazë ligjore dhe institucionale për menaxhimin e emergjencave, por thekson se sfidat e sigurisë kërkojnë përgatitje shumë më të gjerë.
Ai shtron disa pyetje që lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e institucioneve për të përballuar situata të jashtëzakonshme.
A ka Kosova rezerva të mjaftueshme strategjike? A ekzistojnë burime alternative të energjisë dhe ujit për institucionet kritike? A janë të përgatitura institucionet për të vazhduar funksionimin gjatë një krize të zgjatur?
Sipas tij, këto çështje duhet të trajtohen si prioritete të sigurisë kombëtare dhe jo vetëm si përgjegjësi të strukturave për menaxhimin e emergjencave.
Kërkohet program kombëtar për qëndrueshmëri dhe gatishmëri civile!
Një nga propozimet kryesore të Sejdiut është hartimi i një Programi Kombëtar të Qëndrueshmërisë dhe Gatishmërisë Civile, i cili do të bashkërendonte institucionet dhe kapacitetet ekzistuese në një sistem të integruar.
Ky program, sipas tij, duhet të përfshijë vlerësimin kombëtar të rreziqeve, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, rezervat strategjike, burimet alternative të furnizimit dhe vazhdimësinë e funksioneve institucionale.
Po ashtu, ai propozon forcimin e bashkëpunimit civil-ushtarak, organizimin e ushtrimeve të rregullta për testimin e gatishmërisë dhe përgatitjen e komunave e qytetarëve për situata emergjente.
Sejdiu thekson se disa procese, përfshirë vlerësimin kombëtar të rreziqeve dhe zhvillimin e programit të ushtrimeve, tashmë janë në zhvillim, por kërkohet ndërlidhje më e fuqishme ndërinstitucionale.
Roli i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent!
Një rëndësi të veçantë në këtë proces, sipas Sejdiut, duhet ta ketë Agjencia e Menaxhimit Emergjent, e cila duhet të luajë rol të fuqishëm profesional në organizimin dhe koordinimin e mbrojtjes civile.
Ai vlerëson se forcimi i këtij mekanizmi kërkon qartësi të mandateve, ndarje të përgjegjësive institucionale dhe shmangie të mbivendosjes së kompetencave.
Sejdiu thekson se Kosova nuk ka nevojë të kopjojë modele të huaja, por të ndërtojë një sistem të përshtatur me nevojat, kapacitetet dhe realitetin e saj, duke shfrytëzuar përvojat më të mira ndërkombëtare.
Në përfundim, ai përcjell mesazhin se përgatitja për krizat duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë.
“Sepse siguria kombëtare nuk mbrohet vetëm me kapacitete ushtarake. Ajo ndërtohet edhe me institucione funksionale, infrastrukturë të qëndrueshme, mbrojtje civile profesionale dhe qytetarë të përgatitur”, thekson Sejdiu.
Ai e përmbyll analizën me mesazhin: “Përgatitja nuk fillon kur ndodh kriza. Ajo fillon shumë më herët.”







