Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një pune operative-hetimore, kanë siguruar prova se të dyshuarit M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh., përmes dokumenteve të falsifikuara, përfshirë edhe pasaportë të Serbisë, kanë arritur të tjetërsojnë dhe shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., me sipërfaqe prej 36.28 ari.
Të dyshuarit dyshohet se kanë mashtruar edhe blerësin H.M., duke i prezantuar dokumente të rreme si të rregullta, me ç’rast kanë përfituar mjete financiare në vlerë totale prej 1,578,180 euro.
Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurat e mëtejme.
Personat e dyshuar ngarkohen me veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Më 19 shkurt 2026, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







