Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka shprehur shqetësimin e thellë për problemet e shumta, si pasojë e bllokadës së gjatë të shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike, bëhet e ditur në komunikatën për media.
Drejtori ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti ka thënë se kriza e gjatë institucionale, ka thelluar edhe më shumë problemet për numër të madh të kompanive.
Në takimin e DhTIK, bëhet e ditur se Ahmeti theksoi po ashtu se, bllokada ka ulur fuqinë ekonomike të bizneseve, duke rrezikuar numër të madh të punëtorëve, rritje të çmimeve, rritje enorme të importeve nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe probleme tjera zinxhirore.
“Shumë kompani tashmë kanë hequr dorë nga rritja e investimeve në Kosovë, te tjerat po shikojnë për investime jashtë vendit, si dhe po jepet një mesazh negativ për investime të jashtme”, ka thënë ai.
Në takim anëtari i bordit, Idriz Zejnullahu dhe dy anëtarët e grupit të punës, Faton Nuredini dhe Binak Kalludra, kanë prezantuar para të pranishmëve detaje në lidhje me problemet që bllokada i ka shkaktuar sektorit minerar.







