Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka dhënë një intervistë për HisariOnline, në kuadër të emisionit “Fjala dhe Faktet”, ku ka folur për shumë çështje, si nga aktualiteti politik e po ashtu edhe për ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Zemaj ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, andaj në këtë intervistë, ai ka rrëfyer edhe momentet e asaj dite historike për vendin tonë.
“Dita e shpalljes së Pavarsisë gjithmonë ka emocionet e veta por ka edhe përgjegjësitë të cilat i trashëgojmë, ka kujtime të mira, por ka edhe të hidhura, duke nënkuptuar atë se çka ka kaluar populli shqiptar, familja, rrethi, shoqëria, për të ardhur deri te akti më sublim, që është shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Ajo ditë ditë është tregues i ecjes tonë të hidhur por shumë të ndritur, krenar me punën dhe veprat e shqiptarëve të mëdhenj ndër shekuj, e mbi të gjitha të historisë së fundit, të prirë nga presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe të gjithë ata që kanë kapur armët për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
“Për mua ka qenë nder tepër i veçantë, sepse ishin fillet e mia politike aktive, ishte mandati im i parë i fituar me votë të lirë dhe të hapur nga pjesa e dy legjislaturave të kaluara të cilat ishin me votë të mbyllur dhe nën protektoratin ndërkombtëar apo nën UNMIK, siç quhej. Dhe kjo ishte fillimi i një etape të re të historisë së Kosovës, i një legjislature të re me shpalljen e Pavarësisë dhe fillimi i shtetndertimit dhe marrjes së kompetencave ekzekutive të shtetësisë së Kosovës në bazë të Kushtetutës më vonë e miratuar dhe akteve tjera deri në përfundimin e Pavarësisë së mbikqyrur”, u shpreh Zemaj.
Zemaj ka treguar se sa shumë simbolizon kjo ditë dhe çfarë kujton nga ajo datë historike.
“Ajo ditë simbolizon shumë, sa herë që kalojmë nëpër këtë kujtim, më kujtohen së pari familjarët e mi të cilët kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Më kujtohen ata të cilët unë kam bashkudhëtu si i ri, qoftë nga forumi rinor ose nga universiteti por edhe nga paslufta, por edhe kolegë të cilët i kemi nda ato momente dhe kanë qenë pjesë e asaj legjislature, sidomos anëtarë dhe veprimtarë, themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët edhe sot unë i kujtoj me krenarinë më të madhe si njerëzit që kanë kontribuar për shtetin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj sidomos në Kosovën e paslfutës”, deklaroi Zemaj në emisionin “Fjala dhe Faktet” në HisariOnline.
Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë:
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







