Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts tha se qëndrimi i mbrojtjes është që nuk ka ekzistuar Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale, ku ka qenë i përfshirë Selimi apo të akuzuarit e tjerë në asnjë periudhë të aktakuzës, siç pretendon Prokuroria.
“Në mungesë të NPK-së nuk mund të ketë përgjegjësi për Selimin për kryerjen e krimeve”, tha ai.
Sipas tij, pretendimi i ZPS-së për një ndërmarrje të tillë “është i mangët në logjikë dhe i mangët në prova dhe kjo shihet në çdo aspekt”.
Tutje, Roberts tha se pretendimi kryesor i Prokurorisë është se të akuzuarit së bashku me anëtarët e tjerë të asaj që e cilëson si ndërmarrje të përbashkët kriminale kishin për qëllim marrjen nën kontroll të Kosovës dhe largimin e kundërshtarëve.
“Në vetvete qëllimi për marrjen nën kontroll Kosovën nuk është kriminal, por mënyrë për t’i dhënë fund shtypjes së Millosheviqit”, tha ai.
“Duhet të konstatoni se ka pasur një pajtim për krimet e pretenduara. Çështja e objektivit jokriminal, teoria e Prokurorisë është se ky ishte qëllimi kryesor i të akuzuarve dhe jo çlirimi i popullit të tyre, por vetëm synim për të marrë pushtet në mënyrë egoiste”, shtoi Roberts.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







