Kryeministri britanik Keir Starmer u kërkoi falje këtë të enjte viktimave të Jeffrey Epstein për emërimin e Peter Mandelson si ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, pavarësisht lidhjeve të tij me financierin Epstein.
Kryeministri tha se i vjen keq që besoi ‘gënjeshtrat’ e thëna nga ish-ministri i Partisë Laburiste kur e emëroi ambasador të SHBA-së. Ai tha se Mandelson e kishte gënjyer dhe e kishte portretizuar Epsteinin si dikë që nuk e njihte.
“Askush prej nesh nuk e dinte thellësinë dhe errësirën e asaj marrëdhënieje. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të siguruar që të jepet llogaridhënie. Më vjen keq, më vjen keq për atë që ju është bërë, më vjen keq që kaq shumë njerëz me pushtet dështuan, më vjen keq që i besuam gënjeshtrave të Mandelsonit dhe e emëruam atë, dhe më vjen keq që edhe tani jeni të detyruar ta shihni këtë histori të shpaloset përsëri publikisht”, ka shkruar Starmer në X.
Kërkesëfalja vjen pas një dite kur në Dhomën e Komunave deputetët e Partisë Laburiste kërcënuan të rebeloheshin për planet për të publikuar dokumente në lidhje me emërimin e Mandelson pas zbulimeve të mëtejshme rreth marrëdhënies së tij me Epstein.
Kërcënimi i humbjes e detyroi qeverinë të bënte një tjetër kthesë, pasi ministrat ranë dakord të lejonin një komision parlamentar të mbikëqyrte publikimin e dokumenteve, në vend të nëpunësve të lartë civilë.
Por ngjarjet e ditës i dhanë gjithashtu një goditje tjetër autoritetit të kryeministrit, me deputetët që gjithnjë e më shumë po bëjnë thirrje që ai të shkarkojë shefin e stafit të tij, Morgan McSweeney, ose të japë vetë dorëheqjen.
Duke kërkuar të rivendoste reputacionin e tij për ndershmëri në detyrë, Starmer shtoi:
“Hyra në politikë sepse doja ta ndryshoja vendin tonë për mirë, ta bëja më të drejtë, më të sigurt dhe më të mbrojtur”.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







