spot_img
HomeRajoni dhe BotaGuterres paralajmëron: OKB rrezikon krizë financiare dhe funksionimin normal...

Guterres paralajmëron: OKB rrezikon krizë financiare dhe funksionimin normal të saj

spot_img

Kombet e Bashkuara rrezikojnë një “kolaps të afërt financiar” për shkak të mospagesës së së tarifave të shteteve anëtare, ka paralajmëruar sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Në një letër drejtuar ambasadorëve, Guterres thekson se organizata po përballet me një krizë financiare , e cila po rrezikon seriozisht zbatimin e programeve dhe funksionimin normal të OKB-së. Sipas tij, fondet mund të shterojnë që në muajin korrik.

Kreu i OKB-së u bëri thirrje të 193 shteteve anëtare të respektojnë detyrimet e tyre financiare ose, në të kundërt, të rishikojnë rrënjësisht rregullat financiare të organizatës për të shmangur kolapsin.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur kontribuesi më i madh i OKB-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë refuzuar të paguajnë kontributet për buxhetin e rregullt dhe atë të misioneve paqeruajtëse, si dhe janë tërhequr nga disa agjenci, duke i cilësuar ato si “humbje të parave të taksapaguesve”.

Guterres tha se, ndonëse OKB-ja ka përjetuar kriza financiare edhe më parë, situata aktuale është “kategorikisht e ndryshme”. Ai theksoi se janë njoftuar zyrtarisht vendime për mosrespektimin e kontributeve të detyrueshme, të cilat financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të miratuar.

Sipas tij, viti 2025 u mbyll me një nivel rekord të kontributeve të papaguara, që përbëjnë rreth 77% të totalit të borxhit. Ai shtoi se rregulli që parashikon kthimin e fondeve të pashpenzuara shteteve anëtare e përkeqëson situatën, duke krijuar një “goditje të dyfishtë”, pasi organizata pritet të kthejë fonde që nuk i ka marrë kurrë.

“Nuk mund ta teproj me urgjencën e situatës me të cilën përballemi. Nuk mund të ekzekutojmë buxhete me fonde të pambledhura dhe as të kthejmë fonde që nuk ekzistojnë,” shkruan Guterres.

Në përfundim, ai thekson se zgjidhja është e qartë: ose të gjitha shtetet anëtare paguajnë plotësisht dhe në kohë detyrimet e tyre, ose rregullat financiare të OKB-së duhet të rishikohen rrënjësisht për të shmangur një kolaps të afërt financiar.

/HisariOnline/ 

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img