Prokuroria Themelore në Prizren ka vazhduar të enjten aksionin ndaj personave të dyshuar për manipulim të votave.
Në njoftim, Prokuroria bëri të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, janë duke u zhvilluar hetime të zgjeruara ndaj grupit të dytë të të dyshuarve në këtë komunë.
Sipas Prokurorisë, hetimet lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale që përfshijnë shkeljen e të drejtës së votimit, si dhe korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
/HisariOnline/







