Një shqiptar ka qenë në mesin e shtatë viktima pas aksidentit tragjik në Rumani ditën e djeshme.
Tch ka identifikuar shqiptarin, i cili është Vasil Pilo, i cili jetonte me familjen e tij në Alexandria të Imathias në Greqi vitesh. Miqtë e Vasilit tregojnë se ai ishte tifoz i zjarrtë i PAOK dhe ishte prezent në gjithë ndeshjet e skuadrës.
Aksidenti tragjik ku ai humbi jetën ndodhi në Timis të Rumanisë teksa ai dhe 9 tifozë të tjerë të PAOK po udhëtonin drejt Lionit për të ndjekur ndeshjen e ekipit grek në Europa League. Furgoni në të cilin ndodhej Pilo u përfshi në aksident në autostradën pranë qytetit Lugoj.
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion, por gjatë rikthimit në korsinë e tij të ecjes u përplas me kamionin që i vinte përballë. Nga impakti i fortë furgoni fluturoi jashtë rrugës. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndërroi jetë teksa transportohej drejt spitalit. Tre të plagosurit, mes tyre një tjetër shqiptar u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Klubi i PAOK-ut ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve.
/HisariOnline/







