Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut është arrestuar në Tiranë, pas disa muajsh hetime intensive nga Policia e Shtetit.
I dyshuari, i cili fshihej në zonën e Liqenit të Thatë, përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara të Kosovës për t’iu shmangur drejtësisë. Arrestimi u realizua në kuadër të fazës së 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, të drejtuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale.
Sipas policisë, shtetasi B. Sh., banues në Kopanicë të Sarajit në Maqedoninë e Veriut, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Shkupi, pasi Gjykata e Shkupit i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” që në vitin 2007, për veprën penale të vrasjes, e dënueshme deri me burgim të përjetshëm.
Ai dyshohet se më 5 tetor 2007 ka vrarë me armë zjarri tre persona në fshatin Kopanicë, Shkup.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia sekuestroi një pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi kosovare, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.
Materialet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut.
/HisariOnline/







