Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se sot kanë pranuar raport nga procesi i deritashëm i rinumërimit të vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ai ka thënë se për dallim nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.
“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit”, ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Ai ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se ky rajon del të ketë parregullsitë më të mëdha.
“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN”, ka deklaruar kreu i KQZ-së.
/HisariOnline/







