Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të shkohet në rinumërim të plotë të votave të kandidatëve për deputetë në çdo komunë të Kosovës. Kjo pasi janë shfaqur shumë parregullsi dhe vjedhje votash të identifikuara.
“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit”, ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Ai ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se ky rajon del të ketë parregullsitë më të mëdha.
“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN”, ka deklaruar kreu i KQZ-së.
“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, ka thënë Radoniqi.
/HisariOnline/







