Me anë të një komunikate të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë publikuar detaje nga operacioni “Dosja 23”
Nëntë personat e arrestuar sot (e diel, 27 shtator 2026), nën dyshimin për krime lufte në Kosovë, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, janë ndaluar për 48 orë.
D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar urdhër kontrollin në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Gjatë realizimit të bastisjes, janë sekuestruar këto prova materiale si në vijim:
· nëntë (9) telefona mobilë;
· dy (2) libreza ushtarake;
· një (1) armë e gjatë dhe një (1) pushkë gjuetie;
· fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë;
· katër (4) predha;
· para të gatshme në shumën rreth 23,000 (njëzet e tre mijë) euro;
· para të gatshme në shumën rreth 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) dinarësh serbë;
· si dhe prova dhe materiale të tjera relevante që ndërlidhen me rastin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, riafirmojnë përkushtimin dhe angazhimin në ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës.







