Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zhvilluar sot një aksion të gjerë, ku janë arrestuar katër persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Njëri prej tyre, me inicialet I.M., dyshohet për veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa dy persona të tjerë, A.B. dhe Z.B., dyshohen për “falsifikim të dokumentit zyrtar”. Personi i katërt, V.L., në cilësinë e ekzaminuesit për patentë shofer, dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Aksioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Sektorin për Hetimin e Korrupsionit. Gjatë operacionit dhe pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, tek i dyshuari I.M. janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet, të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës.
Po ashtu, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë kryer kontrolle në dy auto-shkolla, ku janë siguruar prova materiale relevante për rastin. Ndërkohë, dy prej të dyshuarve, I.M. dhe V.L., u janë sekuestruar edhe telefonat mobil.
Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të paraqesë kërkesë në gjykatë për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve.
Prokurori i Shtetit thekson se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave penale si dhe dërgimin para Gjykatës të secilit kryerës të veprave penale.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







