Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media, ka prezantuar një analizë të strukturës së kabinetit qeveritar, teksa ka shprehur kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, për siç ka thënë, 453 persona të emëruar politikisht.
Sipas Tahirit, në bazë të analizës del se kemi një qeveri totalisht fiktive, ministri fiktive dhe akomodim të partisë në qeveri. Ai tha se kabineti qeveritar është një ndër më të mëdhenjtë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në krahasim me numrin e popullatës, sipas tij, është padyshim më i madh se i Kinës, se i Indisë e i Pakistanit.
“Kryeministri ka deri 24 këshilltarë politikë, prej tyre 10 të jashtëm dhe 15 staf. Zëvendëskryeministrat kanë 8 deri në 11 këshilltarë, prej tyre janë pesë të jashtëm dhe gjashtë staf brenda kabineteve të veta. Ministrat kanë deri në shtatë këshilltarë politikë, tre të jashtëm dhe katër staf. Zëvendësministrat pa portofol kanë deri në dy staf. Supozimi analitik është ky: 19 ministri dhe minimum dy zëvendësministra për ministri, që përbëjnë gjithsej 38. Kjo është struktura bazë ku paraqitet numri i pozicioneve kryesore në qeveri: normal është kryeministri, tre zëvendëskryeministra, 19 ministrat, 38 zëvendësministra, 57 anëtarë të stafit politik”, tha ai, teksa shtoi se në bazë të analizës së tij del se numri i të emëruarve politik në nivel të kabinetit arrin deri në 453.
Tahiri tutje tha se arsyeja e prezantimit të kësaj analize për qytetarët është e thjeshtë. “Përderisa sot qytetari i Kosovës është duke u ballafaquar me probleme substanciale të jetës së vet, me problemin për të lidhur muajin me muaj, me ekzistencën e vet e të familjes, me kërkesën për një vend pune e për një jetë më të dinjitetshme, sot kjo është madhësia e qeverisë aktuale. Ajo akomodon për herë të parë në historinë e Kosovës një numër kaq të madh të emëruarve politikë. Dhe mbi të gjitha, është kjo qeveri që ende s’ka prodhuar program, ende nuk e dimë për çka qëndron, veçse e dimë që ditë për ditë emëron zëvendëministra e këshilltarë, duke akomoduar njerëzit e vet politik e partiakë, pa u shqetësuar për problemet serioze që lidhen me inflacionin, me ngritjen e çmimeve dhe me mungesën e perspektivës në këtë vend”, tha Tahiri.
I pyetur nga gazetarët nëse si Aleancë janë të gatshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme, Tahiri u shpreh: “Zgjedhjet nuk janë produkt i veprimit politik të AAK-së, në fakt siç e dini kemi qenë të anashkaluar në këtë temë. Kurdo që vijnë zgjedhjet Aleanca do të ketë rezultat më të mirë. Kosovës nuk i duhen zgjedhjet, mirëpo është kryeneçësia e këtij kryeministri që na ka sjellë në këtë situatë, që deshi ta marrë edhe pozicionin e presidentit. Por kurdo që vijnë këtu jemi, Aleanca garon për një rezultat më të mirë”.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi e quajti kabinetin qeveritar “Kurti 3” si kabinet diskriminues. “Nga 21 anëtarë, sot i kemi vetëm katër gra ministre, ku deri dje nëpër fushata kanë folur që për të drejtat e grave dhe sot i kemi vetëm katër gra ministre”, tha ajo.
Bytyqi kërkoi nga qeveria që të respektohet barazia gjinore dhe kabineti i cili ka 21 anëtarë të plotësohet në bazë të kuotës gjinore.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







