Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot viktimat e masakrës së Tregut të Gjelbër në Mitrovicë, që ndodhi më 13 mars 1999, ku u vranë 7 civilë të pafajshëm dhe u plagosën 128 të tjerë.
“Në këtë ditë përkujtojmë viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, ku më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal serb, u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç,” shkruan Osmani.
Në një reagim publik, presidentja e ka cilësuar këtë ngjarje si dëshmi të krimeve mizore të regjimit gjenocidal serb.
“13 Marsi është një nga datat që Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë. Në këtë akt makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë: fëmijë, gra, pleq e të rinj, të cilët u përballën me barbarinë e një regjimi kriminal,” tha ajo.
Masakra e Tregut të Gjelbër, sipas saj, mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi,” ka shkruar presidentja Osmani në rrjetin social Facebook.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







