Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj ndër vite.
“Ajo theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, duke synuar hapjen e kapitujve të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Gjatë bisedës u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme. Në këtë kontekst, u vlerësua se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







