Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në lagjen “Mirëdita” në Malishevë.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjakovës, Shermet Elezi, rasti është raportuar sot rreth orës 12:55, me ç’rast menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
“Brenda banesës janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore, një i rritur dhe dy fëmijë, të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku është konstatuar se ishin pa shenja jete”, ka bërë të ditur Elezi.
Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit, ndërsa nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar apo dëme shtesë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







