Ish-kryetari i komunës së Suharekës, Dr. Sali Asllanaj ka qenë i ftuar së fundmi në emisionin “Fjala dhe Faktet” te HisariOnline me Fadil Bytyçin.
Asllanaj ka rrëfyer shumëçka për mediumin në fjalë, duke folur për kohën e luftës por edhe në çështjen e politikave lokale, konkretisht punën e tij si kryetar i Suharekës.
Asllanaj ka përmendur disa nga projektet e tij të arritura në krye të Suharekës pasi mori mandatin e parë të qeverisjes, duke përmendur këtu palestrën dhe stadiumin e qytetit, të cilat u ndërtuan në kohën e tij.
“Mua më kujtohet një herë kur shkonim, bisedonim me ministrin e financave të atëhershëm, Ali Sadrija, për një kanalizim të fshatit Dobërdelan, unë në ndërkohë rrugës po mendoja që për ministri do të duhej të kërkohej diçka më tepër, mos të kërkojmë për një kanalzim të themi, dhe menjëherë e ndërrova prioritetin dhe isha shumë ithtar i sportit dhe i kërkova ministrit që të na përkrahë për ndërtimin e palestrës sportive. Besoni apo jo, pa një pa dy, ministri i atëhershëm, një burrë shumë i fortë tha po do të iu përkrahim dhe sot palestra kur e kemi ndërtu në vitin 2004-05 besoj që ka qenë palestra e parë e komunave që është ndërtu në Kosovë. Dhe ajo ka shërby që sot shumë sporte të zhvillohen, të kenë perspektivë më të madhe, pastaj kemi vazhdu edhe me stadiumin e Ballkanit, ku me ministrin e atëhershëm Kujtim Shala kemi nxjerrë fonde me të cilat e kemi ndërtu, duke përmbush një nevojë të madhe të infrastrukturës rrugore, të gjithë kemi qenë të uritur që të kemi rrugë të mira, edhe ne kemi bë punën ma të madhe, ne si administratë që rrugët kryesore ti asfaltojmë dhe ajo duke u mvarë edhe te donacionet nga ndihmat që na jepnin ndërkombëtarët. Mua më kujtohet si sot që për rrugën për Vraniq dhe Budakovë na ka ndihmu qeveria austriake për një projekt rreth grumbullimit të qumështit për një qumështore që e hapën në Therandë. Kemi shfrytëzu çdo hapësirë për ta ndërtu Therandën dhe besoj që ia kemi arrit mjaft mirë”, u shreh Asllanaj.
Më poshtë intervista e plotë:
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







