spot_img
HomeLajmePDK: Mosemërimi në KQZ cenon Kushtetutën dhe rrezikon procesin...

PDK: Mosemërimi në KQZ cenon Kushtetutën dhe rrezikon procesin zgjedhor

spot_img

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi se mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është cenim i kushtetushmërisë, demokracisë dhe i zgjedhjeve nga ana e presidentes Vjosa Osmani.

Gjoshi, në një konferencë për media, tha se refuzimi i Osmanit dhe referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese përbën dëmtim të qëllimshëm të përfaqësimit të PDK-së në KQZ.

“Presidentja Osmani, në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit Bedri Hamza, ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së. Pra, jo propozimin e një kandidati, siç e ka certifikuar tani, por të kandidatëve, në shumës. Prandaj, ajo ka përgjegjësinë që para qytetarëve të sqarojë se çfarë e shtyri që në momentet e fundit të tërhiqej nga rruga kushtetuese dhe ligjore e emërimit të anëtarëve të PDK-së në KQZ”, tha ai.

Gjoshi theksoi se mosemërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së në KQZ bie ndesh me paragrafin 4 të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, ku përcaktohet qartë se gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare, përkatësisht nga subjektet politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, që aktualisht janë Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK.

“Pra, Kushtetuta e Kosovës është e qartë: së pari, sigurohet përfaqësimi proporcional i subjekteve më të mëdha parlamentare. Dhe së dyti, meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kuvend janë vetëm katër grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej gjashtë grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, sqaroi ai.

Sipas Gjoshit, ky zhvillim jo vetëm që cenon opozitën, por rrezikon edhe legjitimitetin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike të Republikës së Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme në kërkim të zbatimit të së drejtës së saj për t’u përfaqësuar në KQZ, sipas të drejtës që ia ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, paralajmëroi Gjoshi.

Ai rikujtoi një rast të ngjashëm kur presidentja Osmani, në vitin 2021, ishte përpjekur të pamundësojë emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

“Në vitin e parë të mandatit të saj, Osmani ishte përpjekur të gjente një mënyrë për të çuar përpara kërkesën kundërkushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për emërimin e anëtarit të tretë në KQZ. Por pas refuzimit të trajtimit thelbësor të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk kishte guxuar ta aprovonte këtë kërkesë, e cila qartazi binte ndesh me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për kapjen politike të institucionit të zgjedhjeve”, tha pos tjerash Gjoshi.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img