Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeveria e Kosovës, ku në shkallët hyrëse kanë hedhur letra me mbishkrime si “mashtrimet e Kurtit” dhe “Kurti nuk lëshon pe për ilegalët”.
Përmes këtij aksioni, ata kërkuan ndalimin e strukturave paralele serbe në veri të vendit.
Arbnora Salihu nga Rinia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se, sipas tyre, është mbushur “thesi” me gënjeshtrat e kryeministrit Albin Kurti.
“E kemi mbushur këtë thes me disa nga gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte se i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes e shpërfaq qasjen e tij manipulative me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror”, ka theksuar Salihu.
Ajo shtoi se në vitin 2022 ishte premtuar nga Qeveria se nuk do të kishte tolerancë ndaj këtyre strukturave.
“Në prill të vitit 2022, Kurti premtonte se nuk do të kishte asnjë gram tolerancë ndaj strukturave ilegale. Në qershor të vitit 2023, ai deklaronte se Kosova nuk do të lejojë struktura paralele në veri dhe madje kërcënonte se pjesëtarët e tyre do të shkonin ose në Serbi, ose në burg”, ka deklaruar Salihu.
Sipas saj, vendimi për lejimin e përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia përbën dorëzim përballë grupeve kriminale.
“Por para dy ditësh, më 14 mars 2026, ai bëri të kundërtën duke lejuar përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia. Ky vendim është dorëzim përballë bandave kriminale, është legalizim i strukturave që për dekada kanë minuar sovranitetin e Kosovës. Për më tepër, ky kompromis i dhimbshëm u përshëndet edhe nga Serbia, e cila e konsideron këtë si shmangie katastrofe. Përderisa Albin Kurti flet për mbyllje të strukturave ilegale, Aleksandar Vučić po feston për fitore. Ky kontrast është dëshmia më e qartë e mashtrimit”, ka theksuar Salihu.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







