Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka regjistruar për herë të parë padinë e dorëzuar kundër Serbisë, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.
Avokati Drini Grazhdani njofton se padia lidhet me shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj qytetares Teuta Fazliu, por që përfaqëson një fenomen më të gjerë që prek qytetarët shqiptarë në Luginë të Preshevës.
Sipas tij, Serbia ka zbatuar për vite me radhë një formë të spastrimit etnik administrativ përmes pasivizimit të adresave, që nuk prek vetëm ata që punojnë jashtë vendit, por edhe shqiptarët që jetojnë brenda shtëpive të tyre.
Ky proces ka pasoja serioze: qytetarët humbasin të drejtën për dokumente personale, pension, sigurim shëndetësor dhe të drejtën e votës, duke u detyruar praktikisht të largohen.
“Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi mbi 90% e kërkesave refuzohen në fazën fillestare. Qëllimi kryesor i padisë është që Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (Rregulla 61), në mënyrë që vendimi të mos mbetet i kufizuar vetëm për Teutën, por të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë shqiptarët e prekur”, ka thënë Grazhdani.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës. Ai ka theksuar se padia përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë ndërkombëtare dhe ka falënderuar avokatin Grazhdani dhe znj. Teuta Fazliu për angazhimin e tyre në ngritjen e këtij rasti.
Mustafi shton se qytetarët e prekur nga pasivizimi duhet të ndjekin procedurat e brendshme ligjore në Serbi, pavarësisht refuzimeve, për të krijuar bazën juridike për mbrojtje ndërkombëtare. Ai e konsideron këtë një fitore fillestare dhe thekson se angazhimi mbetet që çështja të përfundojë me drejtësi të plotë për të gjithë shqiptarët e Luginës.
“Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të prekur nga pasivizimi të ndjekin procedurat e brendshme ligjore në Serbi, pavarësisht refuzimeve, sepse vetëm kështu krijohet baza juridike për mbrojtje ndërkombëtare. Kjo është një fitore fillestare. Angazhimi është që ajo të përfundojë me drejtësi të plotë”, ka shkruar Mustafi.
Kujtojmë se qindra, ndoshta edhe mijëra, shqiptarë në Luginën e Preshevës po përballen me një krizë të thellë administrative, pasi janë fshirë nga regjistrat zyrtarë të Serbisë. Ky pasivizim i adresave u privon qytetarëve të drejtave themelore si letërnjoftimet, pasaportat, sigurimin shëndetësor, pensionin dhe të drejtën e votës, duke i detyruar praktikisht të largohen nga vendi.
Kjo praktikë e fshirjes se adresave ka shkaktuar reagime të fuqishme nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







