Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me këshilla për kujdesin ndaj shëndetit gjatë muajit të Ramazanit. IKSHPK-ja thotë se agjërimi ndikon në metabolizëm, hidratim, orare të gjumit dhe aktivitetin fizik, prandaj kujdesi për shëndetin ka rëndësi të veçantë.
Instituti ka dhënë këshilla për mënyrën e të ushqyerit.
“Hani një dietë të balancuar dhe qëndroni të hidratuar. Pini mjaftueshëm ujë dhe konsumoni ushqime të lëngshme si supë, gjellë dhe sallatë. Shmangni pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me sheqer, për të evituar dehidratimin dhe kaloritë e tepërta. Për iftar, zgjidhni një vakt të shëndetshëm: filloni me hurma, ujë, shtoni perime, drithëra integrale dhe proteina si pulë, mish pa yndyrë ose peshk. Kufizoni ushqimet e skuqura, të yndyrshme dhe të përpunuara. Hani ngadalë për të shmangur tejngopjen”, thuhet në këshillën e IKSHPK-së.
Tutje Instituti rekomandon që në syfyr të konsumohet vakt i lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë, dhe një burim yndyre të shëndetshme si avokado.
Ndërkohë bëhet thirrje për shmangie ëmbëlsirash të tepërta, kripën dhe brumërat me yndyrë.
“Për ëmbëlsirë zgjidhni fruta të freskëta sezonale. Syfyri nuk duhet të anashkalohet dhe as të zëvendësohet vetëm me konsumimin e ujit, pasi kjo mënyrë e të ushqyerit mund të dëmtojë shëndetin. Qëndrimi për orë të gjata pa ushqim ndikon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, gjë që e bën personin më pak energjik, më pak të lëvizshëm dhe më pak produktiv”, thuhet në këshillat e IKSHPK-së.
Gjithashtu, kanë bërë thirrje që të përdoren mënyra të shëndetshme gatimi si avullimi, pjekja ose gatimi me pak vaj, ndërsa të ulet sasia e kripës.
IKSHPK-ja, për agjëruesit ka rekomanduar aktivitete në mbrëmje. “Një ecje e rregullt ndihmon në kontrollin e peshës dhe ruajtjen e shëndetit gjatë Ramazanit”.
Një tjetër çështje që kanë renditur te pjesa e rekomandimeve ka të bëjë me regjimin e ilaçeve për Ramazan, derisa kanë këshilluar edhe kush nuk duhet të agjërojë.
“Agjërimi për personat me diabet mund të sjellë komplikime si ulje e sheqerit në gjak, rritje e sheqerit në gjak, dehidratim dhe ketoacidozë diabetike tek personat me diabet të tipit 1. Për këtë arsye, njerëzit me diabet të tipit 1 zakonisht këshillohen të mos agjërojnë. Personat me diabet të tipit 2 dhe me hipertension, të cilët e kanë gjendjen nën kontroll — qoftë përmes dietës apo medikamenteve — mund të jenë në gjendje të agjërojnë. Megjithatë, vendimi për të agjëruar duhet të merret individualisht, gjithmonë në konsultim me profesionistët shëndetësor, duke vlerësuar gjendjen shëndetësore dhe nivelin e rrezikut”.
Ndërkohë, sipas IKSHPK-së nënat shtatzëna ose ato që ushqejnë me gji, nëse janë të shëndetshme, mund të marrin parasysh agjërimin. “Por, ashtu si me diabetin, vendimi duhet të merret individualisht dhe vetëm pas konsultimit me profesionistët shëndetësor, duke vlerësuar rreziqet e mundshme për nënën dhe foshnjën”, thotë IKSHPJ-ja në listën e gjatë të rekomandimeve.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







