Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili po përballet me akuza nga Dhomat e Specializura në Hagë në deklarimin e tij përfundimtar në kuadër të këtij procesi ka thënë se drejtësia, ndonëse mund të vonohet, nuk mund të mohohet. “Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë… Veprimet e mia kanë qenë ligjore”, ka thënë ai.
Veseli ka theksuar se Gjykata duhet me çdo kusht ta mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë.
“Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore, është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate. Ky është edhe shkkau që ju bashkova atyre mijëra grave dhe burrave që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës, dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim që çdo qytetarë të gëzojë drejtësi dhe që bota ta njohë të vërtetën për kombin tonë. Edhe ne momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm. Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë qe nuk do të ia dëshiroj askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, shtoi Veseli.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







