Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj nuk ka përjashtuar mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja në rast se nuk gjendet një konsensus për çështjen e presidentit.
Në një intervistë në emisionin “Fjala dhe Faktet” te HisariOnline, Zemaj u shpreh se personalisht ai nuk mendon që Kosova duhet të ketë zgjdhje të reja, porse nuk i frigohen si parti atyre, pavarësisht se performuan dobët në zgjedhjet e fundit.
“Personalisht mendoj se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, sidomos në këtë fazë. Ne kemi tashmë pothuajse një Qeveri në detyrë për 13 muaj me kompetenca të përziera, me mandat kufizues, me duplifikim të pozitave, të cilat e kanë dëmtuar edhe vet institucionin e Qeverisë por edhe përgjegjësitë e tyre. Ne e themi haptas, kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj ministrave duke mbajtur dy pozita njëherish dhe mendojmë që ka pasur keqpërdorime të parasë publike dhe këtë e kemi bindur me fakte.
E dyta, Kosova është ndikuar nga zhvillimet globale ku kemi mungesë të madhe të zhvillimit ekonomik dhe kemi rritje të faturave të energjisë elektrike, rritje të kostos së jetesës, të ushqimeve bazike dhe shumë gjana tjera të cilat e kanë rënduar jetën e qytetarit. E kemi një parti që ka marrë besimin e mbi 50% të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Jo për t’i ikur përgjegjësisë por i takon gjithmon të parit të krijoj ambient, të krijoj mundësi për krijimin dhe formimin e institucioneve të reja. Kjo u pa edhe me zgjedhjen e kryeparlamentarit edhe me zgjedhjen e Qeverisë. Tani, a kemi vërejtje në individë, në strukturë, po, sepse Kosova është e vogël për të pasur kapacitet 21 ministra, ne nuk jemi as një shtet që ka 80 milionë banorë apo 21 milionë banorë që ta kemi një qeveri kaq shpenzuese dhe kaq të madhe ku shumica e dikasterve janë ndarë vetëm për t’iu krijuar njerëzve mundësi brenda saj. Kjo është shpenzuese dhe mendoj që nuk është efektive dhe do ta shohim a do të ketë rezultate apo jo.
Jemi në një fazë ku do të kërkohet edhe zgjedhja e presidentit ose presidentes së re të Kosovës. LDK e ka thënë qartazi se për çdo gjë që kërkohet një votë që është përmbi atë të nevojshmes që e ka një subjekt politik, siç janë 61 vota për zgjedhjen e kryetarit apo qeverisë, kërkohet marrëveshje dhe duhet të ketë marrëveshje politike, për atë edhe jemi pjesë e politikës dhe të institucioneve të saj. Nëse nuk ka marrëveshje politike atëherë rrezikohemi që të shkojmë në zgjedhje, gjë që të cilat as nuk do të ishin të favorshme për Kosovën por as për proceset për të cilat po na presin. E thash edhe në fillim, ne jemi tek në fazën fillestare të anëtarësimit në disa organizata të rëndësishme që janë ndërkombëtare. Po pretendojmë të bëhemi pjesë e NATO-s dhe mekanizmave të tjerë të sigurisë. Po rrezikohemi nga zhvillet globale dhe nga një armik që në vazhdimësi synon ta cenojë sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës siç është Serbia. Ka shumë punë për të bërë dhe ne e ftojmë edhe partinë fituese edhe gjithë të tjerët që ata duhet të jenë krijues të një situate ku ka konsensus politik dhe për të mos shkuar prapë në zgjedhje të parakohshme, për të mos harxhuar miliona dhe për të ardhur në një situatë siç ishte e njëjta që nga shkurti i vitit të kaluar. Domethënë, ne nuk kemi ende një vendim politik se çka ose tutje, do të ketë zhvillime tash të bisedave institucionale, po flas për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe tek atëherë do të shohim edhe ne si struktura politike se cila do të jetë gjykimi dhe vendimi, edhe pse ka njerëz dhe individë që e mendojnë edhe të mirën edhe tjetrën. Nuk i frigohemi zgjedhjeve pavarësisht rezultatit jo të mirë që kemi pasur me 28 dhjetor, por ne e shohim që janë të pafavorshme për qytetarin e Republikës së Kosovës. Por nëse s’ka ndonjë konsensus, atëherë pse jo edhe të shkojmë në zgjedhje tjera të parakohshme”, u shpreh Zemaj për HisariOnline.
Më poshtë intervista e plotë e deputetit Zemaj.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







