Deputeti i disa legjislaturave i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Armend Zemaj, i ftuar në emisionin “Fjala dhe Faktet” në mediumin HisariOnline, ka folur për ditën historike të 17 shkurtit 2008 të Kosovës, duke qenë njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë.
Teksa ka kujtuar shumë momente të asaj kohe para gati 20 vitesh, Zemaj ka treguar se sa shteti i Kosovës ka arritur objektivat e saj pas gati dy dekadave.
“Unë mendoj se për shtetin e Kosovës por edhe për atdheun nuk është asnjëherë mjaftueshëm për të bërë. Kemi pasur situata që kanë qenë edhe sfiduese, kemi pasur kohëra kur institucionet, nuk i quaj që kanë pasur goditje të brendshme apo të jashtme por nga ajo që quhet polarizim i skenës politike, ndoshta nuk e kanë dhënë efektin e vet dhe pritshmërinë që kanë pasur qytetarët e Republikës sonë.
“Mbi të gjitha, ndoshta është një pjesë e arsyetimit që unë e kam pa gjatë ecjes sonë dhe gjatë legjislaturave sepse ne kemi dalë nga një luftë, kemi dalë nga një vend pothuasje në masë të madhe i shkatërruar, me njerëz që kanë lëshuar ose janë larguar dhunshëm nga Kosova të cilët janë rikthyer me ndërtu paqen por edhe me ringritë familjen, shtëpinë, vendin dhe nuk ka qenë e lehtë.
Institucionet, kuptohet që janë përgjegjëse në pjesën administrative, të zhvillimit të vendit, të subjektivitetit të brendshëm e të jashtëm, por me një fjalë mund të them se ka pasur zhvillim, ka pasur ecje të mirëfillta, ka integrim por jo maftueshëm. Ka disa dukuri në Kosovën e pasluftës nuk kanë mundur të evitohen ose të luftohen, siç janë krimi i organizuar ose korrupsioni, apo veprat tjera kriminale të cilat shpeshherë nuk kanë marrë vendimin e gjyqësorit por as ata të cilët i kanë kryer ato vepra. Këto e kanë lënduar lirinë e Kosovës, këto e kanë lëndu edhe Pavarësinë dhe fuqizimin e shtetësisë, por mbi të gjitha, nëse bëjmë krahasime edhe me legjislatura, por edhe me një dekadë nga një dekadë tjetër, unë mendoj që Kosova është më e zhvilluar, frymon më me pozitivitet edhe pse ka shumë punë për të bërë dhe asnjëherë nuk duhet të ndalet kushdo që ka përgjegjësi, jo vetëm në jetën parlamentare, por edhe ekzekutive, lokale, që të kontribuojë për vendin e vet, dhe ato të mira që ofron Kosova, t’i gezojnë të gjithë pa përjashtim”, ka deklaruar Zemaj në emisionin “Fjala dhe Faktet” në HisariOnline.
Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë:
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







