Autoritetet në Iran kanë arrestuar 139 shtetas të huaj gjatë protestave që filluan në fund të dhjetorit, sipas nraportimit të mediave iraniane.
“Gjatë shqyrtimit të rasteve që lidhen me trazirat, u zbulua se 139 personat e arrestuar janë të huaj”, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, duke cituar shefin e policisë së qytetit qendror të Yazdit, Ahmad Negahban.
Sipas tij, ata ishin të përfshirë në “organizimin, nxitjen dhe kryerjen e trazirave, në disa raste në kontakt me rrjetet jashtë vendit”.
Protestat në Iran, të cilat fillimisht shpërthyen më 28 dhjetor në shenjë proteste kundër kostos së lartë të jetesës, më pas u zhvilluan në një lëvizje antiqeveritare, shtypja e së cilës ka lënë mijëra të vdekur, sipas organizatave joqeveritare.
Autoritetet iraniane pranojnë se më shumë se 3,000 njerëz janë vrarë në protesta, por thonë se shumica e viktimave ishin anëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “terroristë” që vepronin në emër të SHBA-së dhe Izraelit.
Presidenca iraniane të dielën publikoi emrat e 2,986 personave të vrarë në trazira, nga një listë prej 3,117 të vdekurish.
Organizata joqeveritare me seli në SHBA, Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), ka konfirmuar vdekjen e 6,854 personave, shumica prej të cilëve protestues, ndërsa organizata të tjera të të drejtave të njeriut e japin numrin e viktimave shumë më të lartë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







