Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit po i afrohet përfundimit.
Sipas përditësimit të fundit në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë rinumëruar afër 88 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 2.246 nga gjithsej 2.557.
Vendimi për rinumërim të plotë u mor pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u konstatuan shumë parregullsi dhe manipulime në garën e kandidatëve për deputetë.
Në pothuajse të gjitha partitë janë identifikuar kandidatë që në numërimin fillestar kishin përfituar ose humbur qindra vota.
Si parti me numrin më të madh të manipulimeve rezulton Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ku janë evidentuar dhjetëra mijëra vota të manipuluara në favor ose në dëm të kandidatëve të saj.
Zbulimi i këtyre parregullsive, të publikuara edhe në uebfaqen e KQZ-së, ka nxitur reagimin e organeve të drejtësisë.
Prokuroria ka nisur hetime në disa rajone të vendit. Në Prizren, 23 persona janë paraburgosur, ndërsa në Malishevë janë ndaluar 15 kryekomisionerë.
Hetime janë duke u zhvilluar edhe në komuna të tjera.
/HisariOnline/







