Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, duke e cilësuar këtë ndalesë si një moment me peshë të veçantë për ruajtjen dhe forcimin e kujtesës kombëtare.
Nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Spiropali theksoi se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend dhe duhet mbrojtur e kultivuar.
“Në këtë qytet ku historia shqiptare ka lënë gjurmë të thella – nga Shën Tereza te Pjetër Bogdani, nga Hasan Prishtina e shumë figura të tjera – gjejmë themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti, dinjiteti dhe vizioni ynë si komb”, deklaroi ajo.
“Puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike e bëjnë atë një shtyllë të rëndësishme të vetëdijes sonë kolektive.
“Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik”, shtoi ajo në një postim në Facebook
Spiropali vuri gjithashtu në dukje se gjuha shqipe na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti.
/HisariOnline/







