spot_img
HomeKulturëIntervistë me Fadil Bytyçin: Rëndësia e Hisarit, një nga...

Intervistë me Fadil Bytyçin: Rëndësia e Hisarit, një nga lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë

spot_img

Hisari është një nga lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë. Interesimi për këtë vend është i hershëm.

Fadil Bytyçi, profesor dhe studiues i trashëgimisë kulturore, në një intervistë për Hisari Online, ka dhënë detaje mjaft interesante rreth këtij monumenti arkeologjik.

“Deri vonë askush nuk e ka ditur se ekziston, përpos njerëzit që kanë jetuar në atë territor, pra në territorin e Kastërrcit e të Nishorit, ku është punu toka aty, mirëpo është e vërtet që si student i Historisë, e sidomos pasi që shkova në studimet postdiplomatike në Romë, pashë atje vlerat arkeologjike se si trajtoheshin dhe duke marrë informacione prej banorëve që punonin atë tokë, nga pronarët e tokës, se aty dalin disa tjegulla, çeramika të thyera dhe e kontrollova terrenin. I mblodha disa copëza çeramike dhe e pashë se kemi të bëjmë me një lokalitet shumë të lashtë, madje në bazë të njohurive që kisha fituar nga studimet, konstatova në mënyrë hipotetike, se këto pjesë janë pjesë të epokës neolite, epokë që i përket 2500 vjet përpara epokës sonë dhe kjo më befasoi shumë”, deklaroi Bytyçi.

Gjatë viteve janë zbuluar objekte dhe struktura të rralla që ndricojnë qytetërimin e lashtë të kësaj zone. Profesori Bytyçi tregon disa nga gjetjet më të veçanta.

“Një befasi e madhe ishte kur gjeta një monedhë prej arit të Perandorit Arkad. Perandori Arkad ka jetuar në shekullin e katërt, pestë, të epokës sonë dhe atë ia dhashë muzeut të Kosovës dhe sot ruhet në muzeun e Kosovës. Vazhdova deri në vitin 1986 dhe deri në atë kohë i botova më tepër se tre, katër artikuj, lidhur me Hisarin e Kastërrcit”, u shpreh tutje Bytyçi.

Së bashku, me muzeun e Kosovës, në vitin 1986, nisën hulumtimet e tjera provuese, ku aty gjetën në tre metra thellësi shtresën neolite. Këto gjetje vazhduan edhe në vitet e tjera.

“Në vitin 1986, Muzeu i Kosovës organizoi hulumtime provouese, apo sondazhe, për të parë se cfarë ka aty dhe befasisht, tre metra thellësi e gjetëm shtresën eneolite për të cilën unë vecse kisha shkruar më herët, bazuar në gjetjet e rastit që ka dalë prej tokës në sipërfaqe. Dhe gjetjet tjera më pas pasojnë, gërmimet në vitin 2009 dhe sivjet, këtë vit kanë vazhduar gërmimet, pra, aty ka një specifikë te Hisari se jeta ka vazhduar në kontinuitet prej epokës eneolite e deri në shekullin e 12-të. Së paku kështu kanë dalë rezultatet e gërmimeve të mëvonshme që i kanë marrë kolegët e mi arkeologë, nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga Muzeu i Kosovës”, deklaroi Bytyçi.

Strukturat e zbuluara dhe artefaktet tregojnë shumë për jetën e banorëve të lashtë, një dimension tjetër, i rëndësishëm kulturor ndërsa sipas Bytyçit, kjo e demanton edhe historiografinë serbe.

“Demanton historiografinë, veçanërisht serbe, ku ata mendojnë se Kosova është si lokalitet, si ambient, si shprehje gjeografike, si entitet, vetëm prej epokës së ardhjes së sllavëve, ndërkohë që harrojnë se historia është shumë para ardhjes së sllavëve. Dhe kjo dëshmon se këtu ka jetuar një komunitet, me një etnicitet të njohur botërisht, që e quajnë dardanët. Dhe vetë historiografa, studimet historiografike, kanë dëshmuar se dardanët janë pjesë e trungut ilir, rrjedhimisht ne jemi pjesë e atij trungu dardano-ilir. Këtë e dëshmon më së miri edhe lokaliteti i Hisarit në Kastërrc. Arkivi më i mirë i historisë është toka, ajo ka ruajtur me xhelozinë e vet atë identitet tonë kombëtar që e kemi sot, falë pikërisht gjetjeve, jo vetëm Hisarit, por gjithandej ku janë bërë në trevën e dardanisë, e dëshmojnë se këtu kanë jetuar dardanët, se para ardhjes së sllavëve këtu ka pasur jetë, ka pasur civilizim dhe pikërisht edhe Hisari është një tregues shumë i mirë për këtë”, deklaroi tutje Bytyçi.

Të gjitha këto gjetje më të rëndësishme, u publikuan më vonë edhe në botimin e tij në katalogun e parë arkeologjik, titulluar “Trashëgimia Arkeologjike e Trevës së Suharekës”.

“Fatmirësisht, këto publikime ndodhen në botimin tij që e kam quajtur “Trashëgimia Arkeologjike e Trevës së Suharekës”, një katalog ku i përfshin jo vetëm Hisarin, normalisht dominon Hisari, por edhe pjesë të tjera, lokalitete të tjera arkeologjike të Suharekës”, tha Bytyçi.

Zbulimet e Hisarit, kanë ndryshuar ndjeshëm mënyrën si e kuptojmë historinë e Suharekës dhe Bytyçi shtoi se komuna e Suharekës ka mjaftueshëm trashëgimi për tu krenuar me to.

“Komuna e Suharekës, me Hisarin e Suharekës, se e kemi edhe një Hisar lokalitet i famshëm arkeologjik, me tumat e Dubicakut, me tumat e Shirokës, me tumat e Gjinocit, me tumën e Nëpërbishtit e disa lokalitete tjera arkeologkike, kalaja e cila është ende në proces zbulimi në Vraniq, janë një thesar kulturor, i trashëgimisë kulturore, me të cilën komuna e Suharekës mund të krenohet me të”, tha ai.

Hisari ka potencial të madh të bëhet destinacion kulturor e edukativ për vizitorët, megjithatë për të realizuar këtë potencial, nevojitet zhvillimi i infrastrukturës e cila mundëson prezantimin dhe shfrytëzimin sa më të mirë të vlerave të tij arkeologjike dhe kulturore.

“Duhet rrugulluar rruga, duhet bërë një lloj infrastukture”, u shpreh ai.

“Sipas një harte këtu, kjo është një punë që ai që e ka bërë ka shumë vlerë, për të cilin e përgëzoj. Se një i huaj apo një turist, apo kosovar që kalon këndej dhe ka pasion trashëgiminë kulturore historike të një vendi, ai së pari do të orientohej pikërisht këtu për të parë lokalitetin. Megjithatë, rruga sado e madhe që është shtruar, kanë mbetur edhe 200-300 metra, do të duhej të bënte komuna diçka, që së paku të çojë deri në rrugën e asfaltuar dhe pjesa tjetër mund të kalohet më pas edhe në këmbë.

Në fund, profesori Bytyçi dha një mesazh për publikun dhe të rinjtë.

“Le të zhyten në botën e fakteve, sa herë të duan të thojnë diçka, përndryshe dalin dilitant në profesionin e vet. Le ti faktojnë gjërat, le ta respektojnë etikën profesionale, mos ta hudhin punën e dikujt që e ka bërë dikush para tyre, por gjithmonë për shkak të etikës profesionale ta çmojnë dhe ta vlerësojnë e jo të krekosen, duke marrë materiale prej dikujt tjetër dhe prezantuar si të tijat, dhe ky është dilitantizëm profesiona”, përfundoi Bytyçi.

/HisariOnline/

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img