Bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë përkundër trendëve inkurajuese, ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve.
Me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë e afaristëve për një bashkëpunim më të fortë në ekonomi, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve mbeten ende simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare import – eksport.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së lehtë eksporteve kosovare me Shqipërinë, bilanci tregtar përgjatë gjithë periudhës 2022–2025 mbetet dukshëm negativ me importet shqiptare që vijojnë të dominojnë strukturën e shkëmbimeve.
Kështu, diferenca midis importeve dhe eksporteve vazhdon të mbetet sfidë e hapur ekonomike.
Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar me Shqipërinë, ani se ka një rritje të vlerës së mallrave të eksportuara.
Sipas Doganës së Kosovës, për vitin 2025, eksportet e vendit tonë në Shqipëri, nga janari deri më 26 nëntor të këtij viti arrijnë rreth 143 milionë euro, përderisa importet nga ky shtet janë 259 milionë euro.
Nga Dogana kanë thënë për KosovaPress se në vitin 2022, eksportet kosovare drejt Shqipërisë ishin rreth 102 milionë euro, duke shënuar rritje të moderuar në 115 milionë euro gjatë vitit 2023.
Megjithatë, viti 2024 solli një kërcim, eksportet u rritën në afro 248 milionë euro, më shumë se dyfishi i vitit të parë të periudhës së analizuar.
Ndërsa, importet e mallrave nga Shqipëria në vitin 2022 ato arritën rreth 255 milion euro, duke u rritur ndjeshëm në 326 milionë euro gjatë vitit 2023, për të arritur kulmin në 337 milionë euro në vitin 2024.
Në vitin 2025, importet e deritanishme llogariten në afërsisht 259 milionë euro – një nivel i lartë, duke pasur parasysh se të dhënat nuk përfshijnë muajin e dhjetorit.
TOP 10 produktet më të eksportuara nga Kosova drejt Shqipërisë
KosovaPress ka siguruar listën nga Dogana e Kosovës për llojin e mallrave më të eksportuara në Shqipëri. Lista udhëhiqet nga lëndët djegëse minerale dhe derivatet energjetike, të cilat kapin vlerën e mbi 153 milionë eurove gjatë periudhës katër vjeçare të fundit.
Pasojnë sektori i pijeve dhe alkoolit 87.5 milionë euro, si dhe metalurgjia (giza, çeliku, alumini dhe plastikë), duke dëshmuar rritje të kapaciteteve industriale të Kosovës dhe zgjerim të industrive me vlerë të shtuar.
Produktet si mobiliet, makineritë, kafshët e gjalla dhe vajrat bimore/animalë plotësojnë listën, duke reflektuar një diversifikim më të gjerë të portofolit të eksporteve kosovare.
TOP 10 produktet më të importuara nga Shqipëria në Kosovë







