Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se e ka dorëzuar Raportin Vjetor për vitin 2025 te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh U.D. presidente e vendit, Albulena Haxhiu.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka njoftuar Haxhiun për përmbajtjen e raportit, teksa tha se sipas këtij raporti, ekonomia në vend ka ruajtur stabilitetin e vet.
“Raporti konfirmon se ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjatë vitit 2025, pavarësisht sfidave nga mjedisi i jashtëm ekonomik dhe gjeopolitik. Sistemi financiar vazhdoi zgjerimin e qëndrueshëm, sektori bankar mbeti mirë i kapitalizuar dhe me likuiditet të lartë, ndërsa cilësia e portofolit kreditor u ruajt në nivel të mirë”, thuhet në komunikatën për media të BQK-së.
Haxhiu u informua gjithashtu për reformat dhe iniciativat kryesore të realizuara gjatë vitit 2025, përfshirë avancimin e kornizës makroprudenciale dhe mbikëqyrëse, harmonizimin e kornizës rregullative me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, zhvillimin e mëtejmë të sistemit të pagesave, përgatitjet për integrimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) si një proces me përfshirje ndër-institucionale, avancimin e projektit për pagesa të menjëhershme përmes TIPS Clone, si dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e konsumatorëve, edukimin financiar dhe gjithëpërfshirjen financiare.
“Në kuadër të Raportit u prezantuan edhe zhvillimet në fushën e inovacionit financiar, integritetit të valutës euro, menaxhimit të parasë së gatshme dhe formalizimit të ekonomisë, si dhe aktivitetet e BQK-së në planin ndërkombëtar. Gjatë vitit 2025, BQK forcoi pjesëmarrjen në forume rajonale dhe ndërkombëtare, zgjeroi bashkëpunimin përmes asistencave të ndryshme teknike dhe avancoi menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, në mbështetje të reformave dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare”, vazhdon komunikata.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







