Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas vendvotimeve të vendosura nga KQZ për rihapje.
“Që nga fillimi i procesit më 13 janar deri sot në orën 10:00, janë rinumëruar rreth 74% ose 1,887 nga 2,557 vendvotime. Procesi është përfunduar tashmë në 27 nga 38 komunat e Kosovës”, thuhet në njoftim.
KQZ synon të përfundojë rinumërimin në të gjitha vendvotimet brenda kësaj jave për të hapur rrugën drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në rinumërim të shkojnë të gjitha vendvotimet në nivel vendi pasi u evidentuan manipulime me vota të kandidatëve.
Nën dyshimet për këtë vepër penale sot i është caktuar masa e paraburgimit 23 personave që ishin në mesin e 109 të ndaluarve në Prizren, pas aksionit të Prokurorisë Themelore atje, lidhur me dyshimet për falsifikim rezultatesh.
Prokuroria e Shtetit ka kërkuar mbledhje informatash e provash nga Prokuroritë Themelore në mbarë vendin për të parë nëse ka elemente të kryerjes së kësaj vepre penale e sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës.
Para daljes në pah të problemeve me manipulimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin për shpallje të rezultateve përfundimtare.
/HisariOnline/







